227 vende pune të hapura për mjekë dhe infermierë në qendrat shëndetësore verore

0
1

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u ka bërë thirrje sot mjekëve dhe infermierëve në Shqipëri që të aplikojnë për vendet e hapura të punës në qendrat shëndetësore verore në vend.

Thirrja e MSHMS vjen ndërsa nis sezoni turistik gjatë të cilit hapen qendrat shëndetësore verore nga jugu në veri për t’u ardhur në ndihmë turistëve vendas dhe të huaj.

Ministrja Koçiu u ka bërë thirrje profesionistëve të shëndetësisë që të bashkohen në ekipet mjekësore për të dhënë kontributin e tyre për një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm.

“Nga bregdeti në zonat malore, qendrat shëndetësore verore presin profesionistë të përkushtuar”, shkruan Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Sipas Koçiut, janë 227 vende pune të hapura për mjekë dhe infermierë, ndërsa afati i fundit për të aplikuar është 20 maj 2025.

“Shërbimi juaj është i domosdoshëm për pushuesit vendas dhe të huaj”, thotë Koçiu.

Vitin e kaluar, 34 qendra shëndetësore verore ofruan shërbim shëndetësor 24 orë në 7 ditë të javës pranë zonave më të frekuentuara turistike të shpërndara gjeografikisht në të gjithë Shqipërinë.

Gjatë periudhës 1 qershor 2024 deri në 30 shtator 2024 në këto qendra shëndetësore verore u realizuan 80 765 vizita mjekësore, ku 32% u kryen për shtetas të huaj.