Sipas ministrit, këto masa janë pjesë e strategjisë afatmesme për të nxitur rritjen ekonomike pa e ngarkuar sektorin privat me taksa shtesë, duke përmirësuar njëkohësisht administrimin fiskal dhe formalizimin e ekonomisë.

“Ne do të vazhdojmë të garantojmë zhvillim ekonomik pa rritur taksat dhe pa rrezikuar stabilitetin fiskal. Objektivi ynë është të krijojmë kushte më të mira për punësim, investime dhe mirëqenie”, u shpreh ministri.

Projektbuxheti 2026, i cili parashikon shpenzime totale prej 886,7 miliardë lekësh, synon ruajtjen e ekuilibrit mes zhvillimit ekonomik dhe disiplinës buxhetore, duke u fokusuar në rritjen e mirëqenies sociale dhe konsolidimin fiskal të vendit.

Ndër masat kryesore të propozuara në këtë paketë përfshihen skema e kompensimit të TVSH-së për fermerët në normën 10%, që pritet t’u lërë në duar rreth 1,5 miliardë lekë në vit; rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me një normë preferenciale prej 5%, që do të zbatohet gjatë gjithë vitit 2026; zbatimi i “Paqes fiskale”, si reformë që synon ndërtimin e një marrëdhënieje të re besimi midis biznesit dhe shtetit.