Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMI2022: Shtesa për rindërtimin, infrastrukturën, Policinë e bujqësinë

2022: Shtesa për rindërtimin, infrastrukturën, Policinë e bujqësinë

Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financave diskutoi sot ndryshimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave në buxhetin e vitit 2022. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi në fjalën e saj se ndryshimet e propozuara kanë për qëllim reflektimin në kahun e të ardhurave shtesë përtej parashikimeve të fundvitit prej 5 miliardë lekësh, si rezultat i performancës së kënaqshme të realizimit të zërave të tyre për 10-mujorin 2022, duke arritur në nivelin e 581.8 miliardë lekë. Ky akt, sipas ministres, siguron, gjithashtu, rregullime mes zërave të shpenzimeve buxhetore, korente e kapitale, duke synuar optimizimin e realizimit të tyre për pjesën e mbetur të vitit 2022, me një rritje neto po në masën 5 miliardë lekë, si dhe ruajtjen të pandryshuar te deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Ibrahimaj vuri në dukje se ekonomia ka performuar relativisht mirë përgjatë vitit 2022, duke treguar një stabilizim të aktivitetit ekonomik. “Rritja ekonomike për 6-mujorin e parë 2022 ishte rreth 4.17%. Ky rikuperim mbështetet në një gamë të gjerë faktorësh dhe përfshin thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Rritja e besimit të biznesit dhe konsumatorit, përmirësimi i ekonomive partnere, si dhe politikat mbështetëse fiskale e monetare, kanë sjellë rritje të konsumit të familjeve, të investimeve publike e private, si dhe të eksporteve. Nga këto zhvillime kanë përfituar si sektori prodhues, edhe ai i shërbimeve, duke ofruar rimëkëmbje për biznesin dhe punësimin, si dhe krijuar premisa të mira për perspektivën afatmesme”, u shpreh ministrja Ibrahimaj. Edhe zhvillimet në tregun e punës deri më tani, vuri në dukje ministrja, kanë qenë relativisht pozitive. “Papunësia në tremujorin e tretë të vitit 2022 është 10.8%, kundrejt 11.6% që ishte për të njëjtin 3-mujor të një viti më parë. Inflacioni për muajin nëntor ishte 7.9%, ndjeshëm më i ulët se sa në vendet e rajonit, apo se sa mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian. Kreditё me probleme kanë vijuar të ulen, duke shënuar në fund të muajit tetor nivelin prej rreth 5.0% nga 8% që shënonin rreth dy vite më pare”, theksoi ajo. Nga ana e shpenzimeve, ndryshimet konsistojnë në rritjen me 30.2 miliardë lekë të shpenzimeve të përgjithshme, duke arritur nivelin prej 665.7 miliardë lekë. Ministrja Ibrahimaj tha se kjo vlerë është përftuar përmes kombinimit të shkurtimeve në zërat që kanë shënuar mosrealizim në nivel 11-mujor dhe alokimit të shtesave për politikat dhe projektet me performancë optimale. “Sa i takon shpenzimeve kapitale, gjatë vitit 2022, kemi monitoruar në mënyrë sistematike ecurinë e projekteve, duke marrë të gjithë informacionin e nevojshëm nga ministritë e linjës dhe institucionet buxhetore, dhe në vijim kemi ndërmarrë masat e nevojshme për të arritur objektivat e vendosura në fillim të vitit. Megjithatë, për shkak edhe të kushteve jo të zakonshme, të cilat sollën rritjen e çmimeve të inputeve të ndërtimit, rritjen e çmimeve të energjisë etj, disa projekte nuk kanë pasur ecurinë e parashikuar në fillim të vitit”, informoi ajo. Rrjedhimisht, tha Ibrahimaj, përmes ndryshimeve të propozuara rialokohen burimet nga projektet me ecuri të ngadaltë, në ato me performancë me të mirë. Gjithashtu, në kuadër të angazhimit të ndërmarrë nga qeveria për uljen e detyrimeve te prapambetura, me anë të këtyre ndryshimeve, janë alokuar fonde për këtë qëllim. Ministrja u shpreh se shtesat në shpenzimet buxhetore shkojnë në sektorët më të rëndësishëm, si: rindërtimi, infrastruktura, policia e shtetit, bujqësia. Deputetët e opozitës shprehën rezerva sa i takon ndryshimeve të propozuara dhe situatës ekonomike në vend. “Ju thatë që ka rritje të konsumit familjar. Unë në familjen time nuk e ndjej këtë, por nëse kjo ka ndodhur do të gëzohesha. Nga se ka ardhur rritja e konsumit familjar? Mua më rezulton që çmimet e mallrave dhe shërbimeve janë rritur, madje ato të shportës që kanë të bëjnë direkt me konsumin familjar janë rritur ndjeshëm. A janë rritur çmimet e grumbullimit të prodhimeve për blegtorët dhe bujqit, që të rezultojë me më shumë të ardhura për këto kategori, pra që të mund të themi që gjysma e popullsisë ka mbledhur më shumë të të ardhura dhe të argumentojë deklaratën tuaj për rritje të konsumit familjar?”, tha deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho.https://ata.gov.al/2022/12/16/ndryshimet-ne-buxhetin-e-2022-shit-ibrahimaj-shtesa-per-rindertimin-infrastrukturen-policine-e-bujqesine/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments