Prindërit e fëmijëve nga 0-7 vjeç nuk do të kenë më nevojë të paraqiten pranë qendrave shëndetësore, për të tërhequr kartelën e vaksinave që kanë kryer të vegjëlit e tyre, sepse nga sot dokumenti sigurohet online dhe në kohë reale, nëpërmjet e-Albania.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçi bëri të ditur se, Kartela Digjitale e Vaksinimit për Fëmijët 0-7 Vjeç është tashmë e disponueshme në e-Albania.
Koçiu tha se, “rreth 200 mijë fëmijë kanë tashmë Kartelën Digjitale të vaksinimit në e-Albania”.
“Ky dokument i rëndësishëm përmban të gjitha vaksinat që ka marrë fëmija juaj dhe do të lehtësojë ndjeshëm procesin e regjistrimit të fëmijëve në institucionet arsimore.
Gjeneroni kartelën tuaj tani: www.e-albania.al”, shkroi Koçiu në rrjete sociale.
Në formë elektronike, qytetarët mund ta paraqesin dokumentin në çdo kohë drejt administratës së çerdheve dhe kopshteve ku do të regjistrojnë fëmijët e tyre, duke i çliruar përfundimisht nga mundimi i përvitshëm për sigurimin e kartelës në letër dhe me vulë të njomë.
As prindërit e fëmijëve që do të regjistrojnë fëmijët në klasë të parë nuk do të kenë më detyrimin ta depozitojnë kartelën pranë shkollës ku do të mësojë fëmija. Tashmë, nëpërmjet ndërveprimit të SMIP dhe Regjistrit Elektronik të Vaksinimit, kartela digjitale e vaksinimit do të dërgohet elektronikisht në shkollë nga vetë sistemi.