Qeveria shqiptare miratoi marrëveshjen e huasë me KfW në vlerën 20 milionë euro për zhvillimin e integruar rajonal. ”Ne miratuam dhe ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Këshillit të Ministrave, i përfaqësuar nga MFE, dhe KfW, për projektin “zhvillimi i integruar rajonal”. Ky projekt do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe është nën ombrellën e projekteve dhe strategjive të qeverisë për zhvillimin kryesisht të zonave rurale”, tha ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj në një deklaratë për mediet, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Sipas saj, kjo marrëveshje parashikon një financim prej 20 milionë eurosh dhe një grant prej 1 milion eurosh, i cili do të jetë i përqendruar në bashkitë Pogradec dhe Pustec. “Ky projekt do të shkojë për zhvillimin ekonomik të zonave, për zhvillimin rajonal të tyre, synon të rrisë punësimin, sigurisht të përqendruar në zonat rurale, aty ku më shumë ka nevojë për investime dhe për punësim”, u shpreh Ibrahimaj. atsh