Deklarimi i xhiros së subjekteve gjatë 7-mujorit të këtij viti, në raport me 7-mujorin e vitit 2023 është rreth 45 % më i lartë
Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se përkthyer në vlerë monetare kemi rreth 2.1 miliardë euro më shumë të deklaruara si xhiro vjetore gjatë 7-mujorit të parë të vitit 2024.
“Kemi dhe një indikator tjetër i cili reflekton zhvillimin ekonomik dhe rritjen e konsumit, i cili vjen si pasojë e rritjes së pagave në sektorin publik kryesisht, por edhe i rritjes së turizmit. Kemi një rritje të deklarimit të xhiros të subjekteve. Kjo rritje raport me 7-mujorin e vitit 2023 është rreth 45 % më shumë, ose e përkthyer në vlerë monetare kemi rreth 2.1 miliardë euro më shumë të deklaruara si xhiro vjetore gjatë 7-mujorit të parë të vitit 2024”, tha ai, në një konferencë për shtyp.
Sipas ministrit Malaj, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka pasur performancë të mirë edhe në mbledhjen e tatimit mbi të ardhurat personale, ku edhe në këtë tatim rritja është dyshifrore.
“Në sektorin publik rritja e mbledhjes së tatimit mbi të ardhurat është në masën 21.4 %, ndërkohë që në sektorin privat rritja e mbledhjes së tatimit mbi të ardhurat personale, krahasuar me 7-mujorin e 2023, është 14.9 % më shumë”, shtoi ai.
Paga mesatare aktuale në Shqipëri është në masën 710 euro, ndërkohë që paga mesatare në administratën publike është në masën 900 euro