Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi bëri të ditur sot se 160 studentë kanë përfituar bursë në masën e një page minimale dhe përjashtim nga tarifat. “Për herë të parë këtë vit kemi ofruar mbështetje studentore jo vetëm për më të shkëlqyerit dhe fituesit e olimpiadave por edhe ata studentë që kanë zgjedhur të studiojnë në programet prioritare të zhvillimit të vendit si ato të bujqësisë, arsimit, disa programe të inxhinierisë, të shërbimeve, turizmit etj. Për të gjithë këta studentë, ne kemi ofruar përjashtim nga tarifat dhe bursa sa paga minimale, me kushtin që pasi të diplomohen për të paktën tre vite të kontribuojnë në Shqipëri”, tha Kushi gjatë një takimi me studentët përfitues të programit të ri të bursave të studimit në Kryeministri, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Rama. Kushi bëri të ditur se janë gjithsej 160 studentë të universiteteve publike të vendit përfitues. “89 prej tyre studiojnë në programet prioritare dhe 71 studentë ekselentë“, tha ajo. Këta studentë, bëri të ditur ministrja Kushi, kur të diplomohen do të kenë mundësinë të punësohen shumë shpejt, pasi kanë zgjedhur programet prioritare për të cilat ka nevojë zhvillimi i vendit dhe tregu i punës. “Ndërkohë nga kjo politikë përfitojnë prindërit tuaj, sepse jo të gjitha familjet kanë mundësinë ekonomike të mbajnë fëmijët e tyre në kushte optimale gjatë studimeve. Po kështu përfitues janë dhe universitetet, pasi për disa, për vite me radhë ka pasur vështirësi për tërheqjen e studentëve”, u shpreh ministrja. Nga ana tjetër, sipas Kushit, studentët përfitues janë jo vetëm nga Universiteti i Tiranës, por edhe nga ai i Elbasanit, Shkodrës dhe Vlorës. “Ajo që përfiton më tepër nga kjo politikë është Shqipëria”, theksoi ministrja, teksa ftoi maturantët e këtij viti të zgjedhin të përfitojnë nga kjo politikë duke zgjedhur programet prioritare. atsh
160 studentë bursë sa paga minimale ,përjashtim nga tarifat
RELATED ARTICLES