16 shkolla të mesme garuan në kampionatin e volejbollit “EU4SPORT”

0
5

Sallat sportive të 16 shkollave të mesme në Elbasan, Durrës, Korçë dhe Rrëshen u mbushën me atmosferë gare dhe energji rinore gjatë dy javëve të fundit, falë kampionatit të volejbollit “EU4SPORT”.

Dhjetëra të rinj e të reja u bashkuan në fushë për të përfaqësuar shkollat e tyre, duke treguar se sporti është po aq miqësi, respekt dhe bashkëpunim, sa është konkurrencë.

Kampion i edicionit u shpall ekipi i Shkollës së Mesme Profesionale “Salih Ceka” në Elbasan, i cili triumfoi në finale ndaj Shkollës së Mesme “Themistokli Gërmenji” të Korçës.

Të gjitha shkollat pjesëmarrëse u vlerësuan për lojën e tyre dhe për kontributin që i dhanë këtij aktiviteti.

Kampionati u organizua nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Volejbollit, si pjesë e nismave për të fuqizuar komunitetet shkollore dhe për të nxitur një stil jetese të shëndetshëm tek të rinjtë. “EU4SPORT” synon të krijojë më shumë hapësira për sport dhe mirëqenie në shkollat shqiptare.