Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALE“16 ditët e aktivizmit”, fushata kundër dhunës me bazë gjinore

“16 ditët e aktivizmit”, fushata kundër dhunës me bazë gjinore

Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale dhe agjencitë e OKB-së në Shqipëri nisën sot fushatën “16 ditët e aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, mbështetur nga UN Women. Ky aktivitet mblodhi bashkë partnerë të qeverisë, feministë/e, aktivistë/e të të drejtave të grave dhe të gjithë ata që punojnë çdo ditë për të parandaluar dhe eleminuar dhunën kundër vajzave dhe grave. “16 Ditët e Aktivizmit” është një fushatë e përvitshme që nis në 25 nëntor, Dita Ndërkombëtare e Eleminimit të Dhunës ndaj Grave dhe vazhdon deri në 10 dhjetor, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Në harmoni me temën e këtij viti, “UNiTE! Aktivizohu për t’i dhënë fund dhunës ndaj vajzave dhe grave”, aktiviteti vuri theksin te roli i rëndësishëm i aktivistëve/eve dhe lëvizjeve të të drejtave të grave. Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, u dorëzoi certifikata mirënjohjeje aktivistëve/eve dhe atyre që ofrojnë shërbime, që ndër vite kanë ndryshuar dhe shpëtuar jetën e të mbijetuarave të dhunës dhe kanë kontribuar për ta çliruar shoqërinë nga të gjitha format e dhunës me bazë gjinore. “Në 16 ditët e aktivizmit do të bëjmë që zërat tanë të dëgjohen akoma më fort e të mbërrijnë tek çdo grua në çdo cep të vendit, për të mundësuar që gratë dhe vajzat të mbështeten më shumë. Por përpjekjet tona nuk ndalen 365 ditët e vitit për të luftuar dhe parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave. Fuqizimi i gruas është fjala kyçe dhe të gjithë së bashku duhet ta synojmë këtë kur ndërtojmë politikat për gratë dhe vajzat. Aktivizimi duhet të jetë lajtmotivi i gjithë jetës tonë, për të mbështetur gratë dhe vajzat në çdo fushë të jetës”, u shpreh ministrja Manastirliu. Fushata u bën thirrje qeverive dhe partnerëve të solidarizohen me aktivistët/et dhe lëvizjet për të drejtat e grave dhe i fton të gjithë t’i bashkohen lëvizjes globale e të përfshihen në luftën e përpjekjet për t’i dhënë fund njëherë e mirë dhunës ndaj grave. “Sot, teksa nderojmë aktivistët, solidarizohemi gjithashtu me viktimat. Qëndrojmë të bashkuar për t’i thënë stop dhunës, stop patriarkatit dhe maskilizmit toksik që krijojnë kushtet për dhunë me bazë gjinore”, u shpreh Fiona McCluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së për Shqipërinë. Duke filluar nga sot, për 16 ditë resht do të organizohen mbi 100 aktivitete në të gjithë vendin nga organizata të shoqërisë civile, agjencitë e OKB-së në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe pushtetin vendor. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar rinisë, nëpërmjet një bashkëpunimi me Tirana European Youth Capital për të përfshirë më shumë djem dhe vajza të reja në debatin për dhunën me bazë gjinore dhe atë në familje. Sipas një studimi të sapopublikuar nga UNODC dhe UN Women, në vitin 2021 më shumë se pesë vajza e gra janë vrarë mesatarisht çdo një orë nga një pjesëtar i familjes. 56% e vajzave dhe grave janë vrarë me paramendim vitin e kaluar nga partneri i tyre ose një pjesëtar i familjes (45,000 nga 81,000), duke dëshmuar se shtëpia nuk është një vend i sigurtë për shumë vajza e gra. Një kujtesë e tmerrshme se dhuna ndaj vajzave dhe grave është një nga shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut në të gjithë botën.https://ata.gov.al/2022/11/25/16-ditet-e-aktivizmit-nis-ne-shqiperi-fushata-kunder-dhunes-me-baze-gjinore/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments