Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku informoi pasditen e sotme se strukturat janë në terren me të gjitha kapacitetet në terren për menaxhimin e situatës së krijuar si pasojë e përkeqësimit të motit. Balluku theksoi se mbi 1500 punonjës të OSSH, në 12 rajonet e vendit, janë angazhuar për të siguruar furnizimin me energji elektrike. “Prioritet janë padyshim objektet dhe institucionet e rëndësisë së veçantë. Ndërkohë, ARRSH ka mobilizuar të gjitha grupet e punës për të siguruar mbajtjen hapur të akseve rrugore dhe garantuar siguri në lëvizje. Ftojmë qytetarët të evitojnë lëvizjen e pa nevojshme, deri në normalizimin e situatës. Puna në terren po vijon në çdo zonë ku janë raportuar problematika”, u shpreh Balluku në rrjetet sociale. Vendi u përfshi sot nga reshje intensive dëbore ndërsa në disa zona raportohet se dëbora ka arritur në 30 ceentimetra duke vështirësuar qarkullimin dhe furnizimin me energji.