1466 gjoba për parkim të gabuar: Mjetet do të bllokohen

0
22

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të parkojnë në vendet e parashikuara për parkim, në të kundërt makina e tyre do të bllokohet dhe largohet me mjetet të posaçme nga vendi ku gjendet i parkuar. Përmes një reagimi në rrjete sociale, të martën, Balla bëri me dije se Policia Rrugore ka vendosur 1466 gjoba për qëndrim të gabuar, 41 gjoba për parakalim të gabuar dhe 113 gjoba për mos respektim të sinjalistikës. Sipas Ballës, këto fenomene krijojnë edhe trafik, kësisoj ai paralajmëron dhe heqjen me makineri të specializuar të mjeteve të parkuara gabim dhe bllokimin e tyre. “Parkimeve të gabuara vend e pa vend, parkimeve dyshe, treshe mu në mes të rrugës, parkimeve mbi trotuar apo tek korsia e biçikletave etj., do duhet t’i jepet fund. Trafiku i rënduar në kryeqytet dhe në qytetet e mëdha, ka si burim kryesor edhe parkimet e gabuara të cilat bllokojnë rrjedhshmërinë e trafikut”, u shkruan Balla. “Ne duam mirëkuptimin e drejtueseve dhe drejtuesve të mjeteve, se makina juaj e parkuar gabim është një problem shumë i madh për të tjerët të cilëve u ke zënë rrugën, po ashtu dhe një karshillëk i madh ndaj Kodit Rrugor. Numri i madh i masave ditën e djeshme në Tiranë, është një apel publik për reflektim dhe bashkëpunim drejtuar përdoruesve të mjeteve. Policia e Shtetit nuk do ta tolerojë asnjë çast këtë shkelje masive dhe këtë karshillëk. Brenda pak ditësh çdo mjet i parkuar gabim do të largohet nga vendqëndrimi i gabuar me makineri të specializuar të kontraktuar nga Policia Rrugore dhe do të bllokohet”, përfundoi Balla.