Pranë selive diplomatike shqiptare janë nisur 14 mijë libra “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare” për fëmijët e diasporës, të financuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, për të siguruar që fillimi i vitit të ri shkollor t’i gjejë klasat e gjuhës shqipe në diasporë me tekstet e reja.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se MAS është e angazhuar të mbështesë fëmijët e diasporës, të cilët do të kenë këtë vit edhe Nivelin II të librit të përbashkët “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare”.
“Përpara vitit të ri shkollor po bëjmë të mundur shpërndarjen e teksteve në diasporë. Edhe në këtë vit, në Vitin e Gjuhës Shqipe, kemi qenë të gjithë të angazhuar të ecim sa më shpejt për çfarë nevojitet, për sa i përket kompletimit me tekste të niveleve të ndryshme në gjuhën shqipe. Janë më shumë se 14 mijë tekste, të cilat janë dërguar në diasporë”, tha Manastirliu.