Të dhënat e fundit të raportuara nga Instituti i Shëndetit Publik, tregojnë se gjatë vitit 2025, në Shqipëri, janë diagnostikuar 125 raste të reja me HIV, ndërsa numri total i rasteve të evidentuara nga viti 1993 deri në tetor 2025 ka arritur në 1,973. Prevalenca e infeksionit në nivel kombëtar vlerësohet në 0.08%, ndërsa incidenca për vitin 2025 është 5.3 raste për 100 mijë banorë.
Shifrat tregojnë se transmetimi seksual vazhdon të mbetet rruga kryesore e infektimit, duke përfaqësuar 72.6% të rasteve, ku pjesa më e madhe është transmetim heteroseksual. Ndërsa rastet e transmetimit nga nëna te fëmija, përmes gjakut apo përdorimit të drogave me injektim kanë mbetur në nivele shumë të ulëta.
Sipas shpërndarjes sipas grupmoshave, infeksioni është më i përhapur tek personat 35–44 vjeç (27.8%) dhe 25–34 vjeç (26.9%), ndërsa raporti gjinor mbetet i pabarabartë: në vitin 2025 janë regjistruar 98 raste tek meshkujt dhe 27 tek femrat, me një raport 3.5 : 1.
Në kuadër të Ditës Botërore të AIDS-it, e cila këtë vit mbahet nën moton “Të kapërcejmë pengesat drejt një përgjigje të re ndaj HIV/AIDS”, theksohet se pavarësisht përparimit të bërë globalisht, HIV/AIDS mbetet një sfidë e rëndësishme shëndetësore. Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi se në vitin 2024 rreth 1.3 milionë persona u infektuan me HIV dhe 630 mijë humbën jetën nga shkaqe të lidhura me AIDS-in.





