Sipas DPSHTRR, nga viti 2019 deri në tetor 2025 janë regjistruar 10 990 mjete plotësisht elektrike, duke shënuar një rritje prej 72% krahasuar me vitin 2024. Kjo tregon se qytetarët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt alternativave më ekologjike.

Rritje të ndjeshme ka pasur veçanërisht tek autoveturat e reja.

Gjatë janar-tetor 2025, 42,4% e makinave me kilometrazh zero të regjistruara janë elektrike, një shifër që përbën rritje me 62% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

DPSHTRR njofton se në dhjetëmujorin e këtij viti janë regjistruar 16 529 mjete me moshë 0–4 vjeç, 61% më shumë se në vitin 2023, ndërsa në total janë regjistruar për herë të parë 82 814 mjete, pothuajse dyfishuar (+99%) krahasuar me vitin 2019. Prej tyre, 67 603 janë autovetura, ose 81,6% e totalit.

Përveç rritjes së numrit të mjeteve, po ndryshon edhe origjina e automjeteve që hyjnë në vend.

Vetëm gjatë tetorit 2025, pjesa më e madhe e makinave të reja kanë ardhur nga:
Republika e Koresë 21,4%, Italia 15,5%, Gjermania 15,5%, Kina 8,7%, Zvicra 8,4%, SHBA 8%.

DPSHTRR vlerëson se rritja e kërkesës për mjete elektrike është e lidhur me ofertën gjithnjë e më të gjerë të modeleve elektrike, kostot më të ulëta të përdorimit dhe orientimin e qytetarëve drejt mjeteve më të reja dhe më efikase.