Me rastin e përvjetorit të 100-të të bankingut qendror shqiptar, Banka e Shqipërisë emetoi monedhën përkujtimore pa kurs ligjor “100 vjet Banka e Shqipërisë, 1925-2025”.

Monedha simbolizon historinë, rëndësinë dhe trashëgiminë institucionale të Bankës Qendrore, duke përkujtuar një shekull zhvillimesh ekonomike dhe financiare në Shqipëri.

Në njërën anë të monedhës paraqitet logoja e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, e rrethuar nga data që shënojnë momentet historike të bankingut qendror shqiptar. Në anën tjetër, janë vendosur dy figura që lidhin fillimin dhe vazhdimësinë e historisë monetare të vendit: në të majtë, portreti i djalit me veshje popullore të Shqipërisë së Mesme, i njohur nga kartëmonedha e parë e vitit 1926, dhe në të djathtë, portreti i poetit dhe atdhetarit Asdreni, i paraqitur në kartëmonedhën moderne 10 000 lekë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në konferencën e 100–vjetorit të Bankës së Shqipërisë bëri të ditur se monedha përfaqëson respektin ndaj kujtesës historike të institucionit dhe vlerave që ai ka mishëruar gjatë një shekulli – pavarësinë, stabilitetin dhe besimin publik – duke shërbyer njëkohësisht si simbol frymëzimi për të ardhmen e bankingut qendror në vend.