100 milionë dollarë investim për kirurgjinë me asistencë robotike

0
13

“Intuitive Surgical Inc”, një prodhues i sistemit robotik kirurgjik me bazë në Shtetet e Bashkuara, do të investojë mbi 700 milionë juanë (103.7 milionë dollarë) për të ndërtuar një bazë prodhimi dhe inovacioni në Shangai, për të zgjeruar aksesin në kirurgjinë e asistuar robotike për më shumë pacientë në Kinë, njoftoi kompania, citon “China Daily”. Baza e prodhimit dhe inovacionit të kompanisë në Zhangjiang, Shangai, pritet të jetë funksionale në vitin 2025. Ajo do të prodhojë robotë të kirurgjisë da Vinci (XI) për tregun kinez. Me sistemin dhe teknologjitë e shikimit me definicion të lartë 3D për t’u siguruar kirurgëve shkathtësi natyrale dhe një gamë më të madhe lëvizjeje se dora e njeriut, robotët e kirurgjisë da Vinci, sistemi i kirurgjisë laparoskopike i ndihmuar nga robotët e kompanisë, janë në gjendje të ndihmojnë kirurgët të ofrojnë një qasje më pak invazive për shumë lloje të operacioneve. Gary Guthart, CEO-ja i kompanisë “Sunnyvale”, me seli në Kaliforni, tha se rritja e “Intuitive Surgical” në Kinë është në përputhje me iniciativën e qeverisë “Kina e shëndetshme 2030”, veçanërisht në drejtim të investimit në diagnostikimin e hershëm për sëmundje të tilla si kanceri i mushkërive. E lançuar nga qeveria në vitin 2016, nisma “Kina e shëndetshme 2030” vendos objektiva të shumëfishta në lidhje me shëndetin publik deri në vitin 2030, si zgjatja e jetëgjatësisë mesatare në 79 vjet nga 76.34 vjet në vitin 2015 dhe ulja e ndjeshme e shkallës së vdekjeve të parakohshme për njerëzit me sëmundje kronike.