Forcat e Armatosura jo vetëm që ofrojnë një karrierë të qëndrueshme, por gjithashtu sigurojnë mundësi arsimimi përmes bursave të plota në akademitë ushtarake në Itali, Greqi, Turqi, Mbretërinë e Bashkuar dhe në akademinë ikonike West Point në SHBA.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, tha se “çdo vit, oficerët e rinj të diplomuar në këmbësori, detari, pilotazh dhe mjekësi kthehen për të shërbyer me përkushtim në Forcat e Armatosura të Shqipërisë”.

Ministri bëri të ditur se, vetëm gjatë këtij viti janë caktuar 10 bursa studimi në nivele, vende dhe fusha të ndryshme, për të rinjtë që studiojnë në akademinë ushtarake.

“Ky është një proces i shtrirë në kohë dhe në të ardhmen ushtarakë të tjerë do të përzgjidhen për të kryer studime më të specializuara për t’i përfaqësuar Forcat e Armatosura në mënyrë sa më dinjitoze dhe profesionale”, tha Vengu.